Prokuroria e Republikës së Turqisë në Ankara ka paditur shtatë persona në mesin e të cilëve janë dhe katër policë me akuzën se kanë marrë për llogari të një organizate kriminale veturën zyrtare, materiale të ndryshme, informacione dhe dokumente që i përkasin Departamentit të luftës kundër krimit të organizuar, me qëllim të implementimit të aktiviteteve në lidhje me terrorizmin, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktakuzë predendohet se personat e akuzuar kanë bërë gjithë këtë me vetëdije që të krijohet përshtypja për opinionin turk se "shteti është i diskredituar dhe nuk është në gjendje të funksionojë".
Gjithashtu në aktakuzë theksohet se të arrestuarit janë "anëtarë të organizatës terroriste Fetullahçi" dhe strukturave paralele.
Emri "shteti paralel" apo "struktura paralele" i referohet një grupi të zyrtarëve të lartë të punësuar në institucionet e Turqisë, duke përfshirë edhe policinë dhe gjyqësorin, të cilit pretendohet se kanë tentuar të "minojnë" qeverinë e zgjedhur dhe legjitime në Turqi.
Gjithashtu në aktakuzë theksohet se të akuzuarit kanë bërë disa vepra penale për të "parandaluar përjashtimin e organizatave kriminale anëtarët e të cilëve janë nga strukturat shtetërore, për të treguar se shteti është i varur nga anëtarët e strukturave paralele, për të dëshmuar se stafi i riemëruar në institucionet shtetërore është i pasuksesshëm, për hakmarrje ndaj shtetit dhe të tregojnë se stafi i riemëruar nuk mund të përballet me organizata kriminale."
Në mesin e të pandehurve janë Seyyit Aksit, Cihan Tumbul, Durak Yigit, Omer Aydin, Kadir Inan, Ibrahim Simsek dhe Nebil Ark. Theksohet se Inan është kreu i organizatës kriminale.
Në aktakuzë shtohet se është "e nevojshme të konsiderohen veprat penale në aspektin e rrezikut të sigurisë kombëtare dhe sigurisë publike".
Pretendohet se të pandehurit në mënyrë ilegale kanë nxjerrë dokumente të caktuara, materiale të ndryshme dhe automjete nga institucionet shtetërore, ndërkohë që veprat janë kryer për qëllime politike dhe se anëtarët e lëvizjes ishin të udhëhequr nga Fethullah Gylen.
- Më parë është kërkuar arrestimi i Gylenit -
Kryeprokuroria e Stambollit në shkurt të këtij viti ka aprovuar një urdhër arresti për të dyshuarin Fethullah Gylen, liderit të lëvizjes e cila akuzohet për disa aktivitete të paligjshme.
Autoritetet turke më 2 shkurt kanë kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës heqjen e "Kartës së Jeshile" (Green Card) për Fethullah Gylenit, udhëheqësit të lëvizjes së akuzuar për nxitje të grushtit të shtetit, të cilit më 28 janar 2015 në bazë të një "deklarate të rreme" i është anuluar pasaporta turke.
Turqia ka lëshuar më parë urdhër-arresti për Gylenin i kauzuar për udhëheqje të organizatës kriminale dhe tentim grushti të shtetit me qëllim të përmbysjes së qeverisë në krye me Recep Tayyip Erdoğan, presidentit aktual të vendit.
Gylen, i cili që nga viti 1999 jeton në SHBA, është akuzuar për formimin dhe udhëheqjen e "strukturës paralele" e cila në krye me të, sipas prokurorisë turke, ka në plan përmbysjen e qeverisë.