Ministri i Mbrojtjes së Iranit, Hysejn Dehkan ka deklaruar se marrëveshja për dorëzimin e raketave S-300 me rreze të lartë do të nënshkruhet në Moskë dhe brenda vitit këto raketa pritet ti dorëzohen Iranit, raporton Anadolu Agency (AA).
Dehkan ka bërë një deklaratë për televizionin shtetëror para nisjes së tij në Rusi ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë e cila do të zhvillohet në Moskë. Ai tha se marrëveshja për dorëzimin e raketave S-300 me rreze të lartë do të nënshkruhet në Moskë dhe brenda vitit këto raketa pritet të vijnë në Iran.
Dehkan në fjalën e tij tha se çështja e raketave S-300 ishte diskutuar edhe gjatë Konferencës së Sigurisë të mbajtur vitin e kaluar. Ai vuri në dukje se korniza e kësaj marrëveshje ishte përcaktuar gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm të Rusisë në Iran. Ai shtoi se në këtë kornizë nënvizohet fakti se dorëzimi i tyre duhet të bëhet deri në fund të vitit 2015.
“SHBA-ja dhe regjimi sionist i Izraelit kanë kërkuar prej kohësh anulimin e kësaj marrëveshjeje”- tha Dehkan dhe shtoi më tej se e rëndësishme është që Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin anuloi pengesën e kësaj marrëveshjeje dhe fakti që gjatë kësaj vizite kjo marrëveshje do të firmoset dhe hidhet në praktikë.
Rusia dhe Irani ka nënshkruar një marrëveshje në vitin 2007 për shitjen e sistemeve të raketave S-300 të cilat janë një sistem mbrojtës raketash me rreze të lartë. Pas kësaj marrëveshjeje SHBA-ja dhe Izraeli e kundërshtuan fuqishëm Rusinë. Në vitin 2010 pas vendosjes së embargos ndaj Iranit për armë Rusia u detyrua të anulonte marrëveshjen në mënyrë të njëanshme. Ndërsa Irani dërgoi çështjen në gjykatën ndërkombëtare dhe kërkoi nga Rusia 4 miliardë dollarë si dëmshpërblim.
Ditën e hënë, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin me anë të një dekreti të firmosur në Pallatin Presidencial të Kremlinit hoqi ndalimin e dorëzimit të raketave S-300 të sistemeve mbrojtëse me rreze të largët. Sistemi mbrojtës i raketave S-300 njihet si një nga sistemet mbrojtëse më të mira në botë.