Në një sulm të ndërmarrë nga një helikopter i forcave të regjimit me "bombë fuçi" në një kopsht fëmijësh në rajonin i cili ndodhet nën kontrollin e opozitarëve, kanë humbur jetën 10 persona dhe janë plagosur 18 të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka marrë nga autoritetet e spitalit mësohet se një helikopter i forcave të Asadit ka ndërmarrë një sulm me "bombë fuçi" ndaj një kopshti të fëmijëve që ndodhet në rajonin Salahaddin të Halepit dhe i cili është nën kontrollin e opozitarëve.
- Janë masakruar mësues dhe fëmijë -
Autoritetet të cilët janë shprehur se në sulm kanë humbur jetën 10 persona ku 6 janë fëmijë dhe 4 prej tyre janë mësues, ndërsa janë plagosur 18 të tjerë, kanë theksuar gjithashtu se 8 persona janë në gjendje të rëndë dhe se spitali ka nevojë urgjentisht për ndihma mjekësore.
Mervan Salim, një nga aktivistët lokale në rajonin e Salahaddin tha se nën rrënojat në rajonin e sulmuar ndodhen njerëz dhe se ekipet e mbrojtjes civile janë duke punuar me makineri të rënda për nxjerrjen e personave nga rrënojat.
Salim i cili thekson se populli në rajonin e sulmuar ka reaguar ndaj qeverisë së Asadit, u shpreh gjithashtu se komuniteti i rajonit është vënë në ndihmë të ekipeve të mbrojtjes civile për të nxjerrë personat nën rrënoja. Salim ka shtuar më tej se ndërtesa e sulmuar është shkatërruar tërësisht dhe se rrënojat e saj kanë bllokuar bulevardin.
Sipas të dhënave nga Organizata e Dëshmorëve të Revolucionit Sirian theksohet se si pasojë e sulmeve te regjimit të Asad nga marsi 2011 e deri tani në Halep kanë humbur jetën të paktën 25 mijë persona.