Në Dallas të Texasit në SHBA një konflikt i armatosur ka ndodhur jashtë galerisë ku po zhvillohej konkursi me temë karikaturat e profetit Muhammed, organizuar nga Iniciativa e Mbrojtjes së Lirisë Amerikane (American Freedom Defense Initiative) e cila ka ardhur në rendin e ditës me veprimet e saj anti-islame, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate nga policia e rajonit Garland ku ndodhej galeria, theksohet se dy persona të armatosur me një motoçikletë kanë hapur zjarr ndaj rojeve të sigurisë që ndodheshin jashtë galerisë dhe si pasojë e kundërpërgjigjes së forcave të sigurisë dy sulmuesit kanë humbur jetën, ndërsa është plagosur edhe një nga forcat e sigurisë.
Në deklaratë nuk është dhënë informacion nëse sulmi ka patur lidhje me ekspozitën e organizuar në “Curtis Culwell Center” dhe gjithashtu nuk është dhënë informacion në lidhje me identitetin e sulmuesve.
Iniciativa e Mbrojtjes së Lirisë Amerikane edhe më parë ka kryer veprime provokative në galerinë e cila u sulmua dhe se në atë moment ajo po kryente një konkurs të karikaturave të profetit Muhammed.
Në konkursin i cili ka patur një shpërblim prej 10 mijë dollarësh kishte marrë pjesë edhe politikani holandez Geert Wilders. Mësohet gjithashtu se pas konfliktit galeria është zbrazur.
Organizata e cila ka kryer konkursin edhe më parë në afërsi të “World Trade Center” në New York kishte nisur fushatë kundër hapjes së qendrës islamike, dhe gjithashtu kishte marrë me qira në të gjithë SHBA-në tabela të reklamave (billboard) për të publikuar reklama anti-Islam./AA/