Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së organizojnë protestë gjithëpopullore, kundër miratimit të Gjykatës speciale nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Protesta do të mbahet të premten, më 29.05.2015 në orën 10:00 para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.
Në një komunikatë të OVLUÇK-së thuhet se po degradohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nisur nga fakti se krimet dhe gjenocidi që ka shkaktuar Serbia ndaj popullit shqiptar të Kosovës, asnjëherë nuk janë ndjekur e gjykuar nga gjykatat vendore e ndërkombëtare; duke pasur parasysh se drejtësia ndërkombëtare në Kosovë, përmes UNMIK-ut dhe EULEX-it, vazhdimisht bëri akuza të njëpasnjëshme politike ndaj luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; për shkak se, edhe në vendimin që u shqiptua dje kundër Komandantëve dhe bashkëluftëtarëve tonë, të cilët bënë luftë kundër pushtuesit e për t’ia sjellë popullit lirinë, shihet qartë tendenca për degradimin e luftës sonë çlirimtare; Me këtë rast ftojmë qytetarët pa dallim, që t’i bashkëngjiten masovikisht kësaj proteste, sepse nuk do të lejojmë nëpërkëmbjen e vlerave të Luftës së UÇK-së, e cila vlerë ka përmasë të kombëtare”, thuhet në komunikatë.