Panairi i 17-të i Librit në Prishtinë më i vizituari deri tash

Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë është duke u mbajtur Panairi i 17-të i Librit, në organizim të Shoqatës së Botuesve të Kosovës. Në Panairin i cili ka filluar me 2 qershor dhe do të zgjasë deri të dielën më 7 qershor, janë duke marr pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora. Sipas të dhënave të organizatorit, në Panairin e sivjetmë janë prezent rreth 1.100 tituj të ri, ndërsa çdo ditë promovohen nga 7 deri në 10 libra.

Edicioni i sivjetmë i Panairit të Librit shënon edhe 150 vjetorin e lindjes së Zef Skiroit, poetit, gjuhëtarit, etnografit dhe publicistit të shquar arbëresh. Po ashtu, në këtë panair shënohen edhe 100 vjet të lindjes së Roland Barthesit, Arthur Millerit, 100 vjetori i vdekjes së Josif Bagerit, si dhe ditëlindja e 95-të e akademikut Mark Krasniqi dhe 20 vjetori i vdekjes së Anton Pashkut.

Gjatë vizitës Panairit të Librit, në njërin nga standet kemi takuar gazetarin dhe shkrimtarin e njohur nga Shqipëria, Blendi Fevziun, ndërsa po iu nënshkruante lexuesve kopjet e librit të tij, "Presidenti që u bë mbret: Ahmet Zogu", me të cilin e ka fituar Çmimin për kritikë, estetik dhe publicistik në Panairin e 17-të të Librit në Prishtinë.

Gjatë bisedës me Anadolu Agency, Fevziu u shpreh se është shumë krenar me çmimin e fituar dhe se, është i befasuar me numrin e madh të vizitorëve në Panair.

“Ajo që më bëri përshtypje është se, njerëzit vijnë blejnë libra. Kjo tregon një lloj të raportit të mirë të qytetarëve me librin. Megjithatë, ende është një panair i përmasave modeste, krahasuar me atë të Tiranës”, thotë Fevziu dhe shton se, përkundër këtij fakti, Kosova dhe Shqipëria janë një treg i përbashkët.

“Libri nuk ka as kufij, as dallime, asgjë, kur bëhet fjalë për letërsinë shqipe që përmbledh të gjithë ata që shkruajnë në gjuhën shqipe. Pra, vetëm këtu nuk mund të ketë dallime”, thotë Fevziu.

Njëri nga mysafirët që për herë të parë e viziton Panairin e Librit në Prishtinë është shkrimtari shqiptar Skender Braka nga Durrësi. Braka i cili në këtë Panair prezantoi tre librat e tij, për Anadolu Agency tha se është shumë i kënaqur me mikpritjen në Kosovë, si dhe interesimin e kosovarëve për librin por, ai dha porosinë se më shumë duhet t’iu kushtohet rëndësi dhe vëmendje autorëve nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët janë shumë të talentuar.

“Njëkohësisht kjo vlen edhe si një vërejtje për organizuesit e kësaj, ministritë e arsimit, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, që është e mira të promovohen autorët tanë dhe më pak ata të huajt sepse duke iu dhënë një shtytje, një nxitje poetëve dhe shkrimtarëve tanë, do të dimë edhe ne se si të përfaqësohemi nesër në arenën ndërkombëtare, që autorët tanë të paraqiten me dinjitet” thotë Braka.

Shkrimtari kosovar, Albatros Rexhaj është i lumtur me faktin se Panairi i Librit në Prishtinë, nga viti në vit, po vizitohet gjithnjë e më shumë dhe njerëzit po i kthehen librit.

“Libri nuk mungon por, duhet kujdes shumë më i madh institucional, duhet të punohet më tepër që librat e huaj të përkthehen më shpejtë, ndërsa librat që shkruhen nga autorët tanë të përkthehen në gjuhë të huaja” porositë Rexhaj.

Në mesin e vizitorëve të Panairit të Librit ishte edhe aktori, regjisori dhe profesori i aktrimit dhe regjisë, Luan Daka.

“Mendoj se është një rast i shkëlqyeshëm për të gjithë njerëzit që i duan librat, qofshin letërsi, beletristik, qofshin literaturë profesionale. Pra, për tu njohur drejtpërsëdrejti, për t’i parë botimet e reja, botimet e jashtëzakonshme që më parë nuk kanë ekzistuar tek ne”, thotë Daka.

Ai thekson se çmimet e librave janë të larta në krahasim me standardin e jetës në Kosovë por, zbritja e çmimeve nga 20 përqind deri në 50 përqind gjatë Panairit, po i mundëson gjithkujt të blej nga një libër.

Në kuadër të Panairit të Librit në Prishtinë, lexuesit kanë mundësinë që të shoqërohen dhe të bashkëbisedojnë me autorët dhe shkrimtarët e shumtë shqiptarë dhe të huaj. Pritet që Panairi i sivjetmë të vizitohet nga rreth 35 mijë vizitorë./AA/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat