Në një dokument të Lidhjes së Prizrenit, të përkthyer nga osmanishtja nga Xhafer Belegu, e të postuar në profilin e tij në Facebook nga aktivisti i shoqërisë civile Rron Gjinovci shihen aktet e nxjerra nga kjo lidhje.
Si pikë kryesore e saj, ndër tjerash ishte edhe ajo në të cilën shkruante: “Lidhja e jonë asht formue me qëllim, që të mos njofi asnjë qeveri tjetër, përveç se ate të Perandoris otomane edhe të mbrojë integritetin toksuer duke përdorë të gjitha mjetet”(sic).
Veç kësaj, në një pikë tjetër shkruan: “Duke marrë parasysh gjendjen e Ballkanit, nuk do të pranojmë n’asnji mënyrë Bullgarin dhe as që duem t’i dëgjojmë emnin; edhe Serbia në rasë se nuk na i dorzon me të mirë tokët që na ka shkel, do te dërgojmë kundër sajë fuqi për me i a marrë me pushkë. Dhe kundër Malit të Zi do të veprojmë po në kët mënyrë”(sic).
Dhe ndër pikat tjera, “të veçanta”, transmeton Telegrafi, është edhe ajo ku përmendet “ligji i naltë fetar (sheriati)”.
“Në bazë të ligjit të naltë fetar (sheriatit) do të mbrojnë jetën, pasunin, dhe nderin edhe t’atyne që s’janë muhamedanë, po janë besnikë, baras me t’onat. Do të marrim masa ndëshkimore kundra kryengritësve, duke i dënue sipas fajit”(sic).