Qytetarët e Prishtinës, nga dita e sotme do të kenë mundësi që vetë të pajisen me ekstraktin e lindjes. Ky lloj vetëshërbimi digjital do të ofrojë shërbime 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë.
I gjithë ky projekt është realizuar me vetëm 14 mijë e 200 euro. Si fillim, siç edhe shpjegoi vetë kryetari i komunës do të lëshohen vetëm ekstrakti i lindjes e më vonë do të mundësohet edhe nxjerrja e certifikatave tjera.
I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se ka kënaqësinë që në “Ditën e Çlirimit të Prishtinës”, të fillojnë me një shërbim të ri.
“Ky shërbim sot do të jetë në dispozicion 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Pra qytetarët edhe nëse vijnë në 10 të mbrëmjes në qoftë se janë të regjistruar në regjistrin civil, dhe kanë marrë ndonjëherë ekstrakt me një proces tepër të thjesht me letërnjoftimin e tyre mund ta shtypin ekstraktin e lindjes, certifikatën e lindjes por edhe certifikatat e tjera”, tha Ahmeti.
Nga shërbimi digjital që po starton sot si pilot projekt, qytetarët do të mund ta provojnë e në ditët e ardhshme, sipas kryetarit Ahmeti, ky shërbim do të përmirësohet.
“Pagesa është e njëjtë një euro edhe po ashtu në këtë shërbim kemi mundësuar edhe dy portale të tjera të cilat mundësojnë shtypjen e çfarë do formulari që ju nevojitet qytetareve për shërbimet e komunës se Prishtinës. Së bashku do ta demonstrojmë si funksionon kjo këtë merreni si demonstrim sepse ditëve në vijim do të përmirësohet edhe me tutje, është hera e parë që po bëhet, është softuer i ri, është makine e re dhe ky është pilot projekt”, tha ai.
Nëse ky pilot projekt do të funksionojë mirë, Ahmeti thotë se projekti do të zgjerohet edhe në pjesët e tjera të qytetit me shërbimet e ofiqarisë.
Ndërsa Lulzim Ejupi, drejtor i përgjithshëm i Agjencionit të Regjistrimit Civilë tha se në bazë të suksesit, ky projekt do të shpërndahet edhe në komunat e tjera në Kosovë.
“Tash e tutje, shërbimi i qytetarëve do të jetë 24 orë edhe shërbimet të ardhmen do të jenë shumë më efikase. Ky pilot projekt në qoftë se do të implementohet në mënyre shumë të mirë dhe do të funksionoj mirë nesër masnesër, shpresoj që në aspektin strategjik do të bashkëpunojmë edhe me komunat e tjera që shërbimi i qytetareve jetë shumë më efikas”, tha Ejupi.
Muhedin Nushi, drejtori i Administratës në Prishtinë tha se me këtë po fillon një erë e re, një vizion i ri në zhvillimin e shërbimeve ose në ngritjen e kapacitete në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Kostoja nuk ka qenë shumë e madhe komplet krejt çka shihni me dizajnim, me realizim, me softuer të ri, me aparaturë të re 14,200 euro. Fillimisht do të lëshojmë vetëm ekstrakte të lindjes për përdorim interno”, ka përfunduar Nushi.