Në Qendrën Memoriale Potoçari - Srebrenicë sot do të bëhet ceremonia e varrimit të eshtrave të 136 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Pas ceremonisë përkujtimore dhe pjesës fetare të programit do të shënohet 20-vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, krimit më të madh në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore, raporton Anadolu Agency (AA).
Në mesin e atyre që sot do të varrosen në Potoçari, pranë Srebrenicës është edhe Jusuf Smajlloviç, i cili u vra në moshën 75-vjeçare. Pranë tij do të varrosen edhe i biri i tij dhe nipi. Do të varroset edhe Ismet Mehmedoviç së bashku me tre djemtë e tij, Fikret, Rifet dhe Salih. Në mesin e viktimave është edhe Sasha Hidiç nga nëna Lleposlava dhe bavai Qamil. Familjarë të ndryshëm sot do të varrosin edhe 14 të mitur.
Në Qendren Memoriale Potoçari nga viti 2003 deri vitin e kaluar janë varrosur 6.166 viktima të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe 75 persona që nuk janë viktima të gjenocidit, por për të cilët familjet kërkuan të varrosen pranë baballarëve të tyre, vëllezërve dhe gjyshërve.
Në Potoçari pritet të arrijnë më shumë se 80 delegacione të huaja të nivelit të lartë, si dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.
Fillimi i ceremonisë përkujtimore pritet të fillojë në orën 10:30, me intonimin e himnit të Bosnjes dhe Hercegovinës dhe me fjalimin e të ftuarve.
Në orën 13:00 do të falen namazet e drekës, ndërsa në orën 13.20 do të falet namazi i xhenazes i udhëhequr nga reis-ul-ulema Huesin ef. Kavazoviç. Në orën 13:35 pritet të fillojë varrimi i eshtrave mortore me leximin e emrave të viktimave të gjenocidit.
E shtune, 11 korriku është shpallur Ditë zie në nivelin e BeH me propozimin e kryesuesit të Këshillit të Ministrave të BeH Denis Zvizdiç, ndërsa vendimi u mor në mënyrë unanime nga votat e Ministrave boshnjakë, kroatë dhe serb.
Njëzetë vjetori i gjenocidit në Srebrenicë është pritur në atmosferë turbulente për shkak të votimit të rezolutës për dënimin e gjenocidit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Parlamentin Evropian. Për shkak të vetos së Rusisë, rezoluta nuk u miratuar, gjë që shkaktoi dënimin e zyrtarëve të fuqive perëndimore.
Ndryshe nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë të tretë për shënimin e përkujtimit të Srebrenicës. Rezolutë të ngjashme e ka miratuar edhe Kongresi i SHBA-ve ku dënohen të gjitha mohimet e gjenocidit.
- Aktgjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë konfirmon gjenocidin -
Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nga akuza e Bosnjë dhe Hercegovinës kundër ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, pasardhëse e së cilës u bë Serbia, në vitin 2007, u konfirmua se në territorin e Srebrenicës në vitin 1995 është kryer krimi i gjenocidit.
Në fillim të agresionit dhe luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, në vitin 1992, njësitë e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) së bashku me njësitë ushtarake të ish-Jugosllavisë, me ndihmën e njësive pro-serbe lokale që e perbënin ish-mbështetësit e Partisë Demokratike Serbe, mori kontrollin mbi Srebrenicën.
Në atë kohë nga qyteti janë dëbuar rreth 20 mijë banorë - muslimanë. Në atë kohë, forcat pro-boshnjake të cilat më pas u organizuan në lëvizjen e rezistencës, çliruan qytetin. Gjatë vitit 1993 një numër më i madh i njerëzve të dëbuar nga zona e gjerë e Zvornikut dhe Srebrenicës, gjetën strehim në Srebrenicë. Por, gjatë gjithë kohës ata ishin të ekspozuar ndaj vrasjeve nga të gjitha armët në dispozicion dhe urisë. Kështu ishte deri në qershor të vitit 1995, kur filluan sulmet ndaj kësaj "zone sigure" të Kombeve të Bashkuara. Ajo ishte një prelud për vrasjet masive dhe gjenocidit kundër popullatës boshnjake që do të ndodhë në korrik të atij viti. Ishte ky fillimi i vrasjeve masive dhe gjenocidit ndaj banorëve boshnjakë i cili do të vazhdojë edhe gjatë korrikut të atij viti.
Për gjenocid dhe krimet të tjera të kryera në Srebrenicë në vitin 1995 në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë në Den Hagë dhe para Gjykatës së BeH deri më tani janë dënuar 37 persona me rreth 630 vjet burg. Pas arratisjes shumë vjeçare, procesi i gjykimit për gjenocid vazhdon për ish-presidentin e Republikës Srpska, Radovan Karaxhiç dhe komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës Ratko Mlladiç.