Numri i fëmijëve që do të ulen për herë të parë në bankat shkollorë do të jetë rreth 28 mijë, ndërsa numri i tërësishëm i nxënësve që do të jenë pjesë e procesit mësimor në nivelin parauniversitar, nëpër shkollat e Republikës së Kosovës, do të jetë rreth 390 mijë nxënës. Këtë e ka bërë të ditur, Azem Guri, nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
Guri ka bërë të ditur për Telegrafin se janë angazhuar që ta zgjidhin edhe problemin e peshës se madhe të çantave të cilat i barin nxënësit në shkollë, duke theksuar se në këtë drejtim kanë marrë veprime konkrete.
“Është përgatitur udhëzimi administrativ nga ana e MASHT-it, i cili parasheh rregullimin e vitrinave nëpër shkolla, ku nxënësit mund ta vendosin një pjesë të materialit shkollor, duke iu mundësuar atyre që mos t’i bartin të gjitha librat më vete në shtëpi dhe anasjelltas”, ka thënë Guri.
Me këtë udhëzim, ka shtuar ai, janë njoftuar edhe komunat, dhe mbi bazën e këtij udhëzimi janë të obliguara t’i ndërtojnë vitrinat për vendosjen e materialit shkollor nëpër objektet shkollore.
Sipas tij, ky fillim vit do të pasurohet edhe me dy objekte te reja shkollore, njëri objekt në Viti, ndërsa tjetri në Deçan.
“Ndërsa, i kemi gjithsej 6 shkolla që nuk fillojnë punën menjëherë, për shkak të renovimeve. Prej shkollave që janë në renovim e sipër, katër janë në Drenas, një në Pejë dhe një në Kaçanik. Gjatë javës do përfundojë renovimi i tyre dhe do të fillojë procesi mësimor”, ka shtuar Guri.
Guri më tutje ka thënë se numri i personelit të angazhuar në procesin arsimor: prej punëtorëve teknikë, mësimdhënës, zëvendësdrejtorëve, drejtoreve, është rreth 30 mijë.
“Numri i mësimdhënësve që janë me ditarë në dorë, është rreth 25 mijë. Këtë vit shkollor 2015/2016, objektiv kryesor e kemi avancimin e cilësisë në arsim. MASHT në bashkëpunim me partnerët zhvillimor, e ka përgatitur strategjinë e avancimit në arsim, ku kjo strategji parasheh përgjegjësitë dhe obligimet që i kanë shkollat, drejtoritë komunale të arsimit dhe ministria. Njëkohësisht jemi të fokusuar që të bëjmë zbatimin e kësaj strategjie në institucionet tona arsimore”, ka theksuar ai.
Guri ka njoftuar se edhe këtë vit MASHT bën shpërndarjen e teksteve shkollore për arsimin e obliguar; prej klasës së parë deri në klasën e 9.
“Shpërndarja e teksteve shkollore është bërë në të gjitha komunat e Kosovës, përkatësisht tekstet janë në objektet shkollore. Nesër më fillimin e vitit të ri, të gjithë nxënësit kanë mundësi të pajisen me këto tekste”, ka thënë ai. /Telegrafi/