Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe gjashtë vendet aleate i kanë bërë thirrje Rusisë t’i ndërpresë “sulmet ndaj opozitës siriane dhe civilëve”, raporton Reuters. Ata kanë shprehur “shqetësimin” për praninë ushtarake të Rusisë, në Siri.
Në një deklaratë të përbashkët, Shtete e Bashkuara, Franca, Gjermania, Katari, Arabia Saudite, Turqia dhe Britania e Madhe, kanë kritikuar sulmet ajrore të Rusisë, të cilat kanë thënë se nuk i kanë sulmuar caqet e grupit Shteti Islamik.
“Këto sulme ndikojnë në eskalim të mëtejmë dhe do të ndikojnë më shumë në zhvillimin e ekstremizmit dhe radikalizmit,” kanë thënë ata.
Rusia ka thënë se ka kryer sulme të reja në Siri, duke goditur 12 caqe të të ashtuquajturit Shtet Islamik (IS).
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se aeroplanët e saj kanë goditur një qendër të komandës dhe një qendër të komunikimit në provincën Alepo, ashtu si edhe një kamp të militantëve në Idlib.