Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shpikur një shkak krejtësisht larg logjikës për gjenocidin ndaj popullit hebre, që konsiderohet si njolla e zezë e historisë së njerëzimit.
Netanyahu pretendoi gjatë Kongresit të 37-të Botëror Sionist se Hitleri, i cili nuk donte të shfaroste hebrenjtë, por t’i dëbonte, u bind për “zgjidhjen përfundimtare” nga myftiu i Jerusalemit, Haxhi Amin al-Huseini.
“Hitleri në atë kohë nuk donte t’i shfaroste hebrenjtë, por t’i dëbonte. Myftiu vajti dhe i tha ‘nëse i dëbon’, do të vijnë në Palestinë. ‘Çfarë duhet të bëj?’, pyeti Hitleri. ‘Digji’ iu përgjigj myftiu”, deklaroi Netanyahu gjatë Kongresit Sionist.
Nga ana tjetër nuk vonoi reagimi i liderit të opozitës izraelite, Isaac Herzog, mbi deklaratat e Netanyahut.
“Ky është një shtrembërim i rrezikshëm. I kërkoj Netanyahut ta korrigjojë menjëherë, sepse minimizon holokaustin dhe përgjegjësinë e Hitlerit në katastrofën e tmerrshme të popullit tonë”, theksoi Isaac Herzog.
“Komentet e kryeministrit janë fruta të gatshme për mohuesit e Holokaustit. Historianët kanë vërtetuar se Hitleri planifikonte të shfaroste hebrenjtë shumë vite para se ai të takohej me Huseinin”, shtoi ai.
Ndërsa negociatori palestinez, Saeb Erekat, vuri në pah se “Netanyahu i urren kaq shumë palestinezët, saqë është gati të shfajësojë Hitlerin për vrasjen e 6 milionë hebrenjve”.
Ky pretendim i Netanyahut është ngritur në përfundim të Luftës II Botërore, por historianët më pas e kanë hedhur poshtë gjerësisht.
Diktator absolut në Gjermaninë e viteve 1939-1945, Adolf Hitleri ka bërë masakra sistematike ndaj miliona njerëzve, me në krye hebrenjtë, por edhe romët, gjermanët kundërshtarë të regjimit nazist, personat me aftësi të kufizuara, robërit e luftës, polakët dhe sllavë të tjerë.
Sipas shumë burimeve historike, numri i hebrenjve viktima të gjenocidit përgjatë Luftës II Botërore është rreth 6 milionë.
Në Izrael, viktimat e holokaustit përkujtohen me ceremoni të ndryshme çdo vit, më datë 27 prill./trt/