Nderim Mushica, nxënës në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, sot është larguar nga orët mësimore nga drejtori i shkollës. Jo pse ka bërë ndonjë sjellje të pahijshme, por se maturanti i kësaj shkolle, mban mjekër.
Urdhri nga drejtori Ilmi Reçica është që derisa ta heq mjekrën, nxënësi nuk mund të kthehet në shkollë.
Sipas drejtorit, në shkollë nxënësit nuk duhet të vijnë me mjekër apo shami, simbole këto fetare të besimit islam.
Por, Nderimi, që i përket fesë islame, thotë se mjekrën e ka mbajtur vetëm si çështje “stili”,e jo për shkak të fesë.
E drejtori Ilmi Reçica nuk pranon se këto veprime i ka ndërmarrë për shkak të kërcënimeve nga sulmet terroriste, që po përhapen në shumë vende të botës.
Nderimi tregon se asnjëherë nuk ka ndodhur që dikush të largohet nga mësimi për shkak të gjërave të tilla, për tre vjet sa është në këtë shkollë.
“Sot në orën e pestë na njoftoi profesoresha që duhet me lshu mësimin për shkak të mjekrave. Ne hezituam të dilnim, pastaj erdhi edhe drejtori dhe tha se duhet me lëshu mësimin gjithqysh…Nuk ka ndodhë asnjëherë”, thotë ai.
Drejtori i gjimnazit “Sami Frashëri”, Ilmi Reçica thotë se ua ka tërhequr disa herë vërejtjen nxënësve për këtë çështje, por nuk kanë reaguar, andaj edhe ka shkuar sot vet për t’i nxjerrë jasht.
“Është e vërtetë. Disa nxënës sot i kam dërguar në shtëpi. Arsyeja e vetme është mbajtja e mjekrave në masë të madhe. Ky vendim ka ardhur në konsultim më Këshillin Drejtues të shkollës, por edhe disa informacioneve se kam parë disa nxënës duke u falur në shkollë, në orët e mbrëmjes. Pas inspektimit në disa klasa dhe tërheqjes së vërejtjes disa ditë, që të shkojnë ta heqin mjekrën dhe të vijnë të nesërmen të pastër, sot shkova, i gjeta nëpër klasë ashtu. Iu thash të dalin të shkojnë ta heqin mjekrën dhe të kthehen ashtu siç është rendi i shkollës”, thotë ai.
Drejtori Reçica nuk pranon se është ndikuar nga zhvillimet e fundit në botë, ku shumë vende po kërcënohen nga sulmet terroriste.
“Nuk është ai problem që unë kam insistuar aty, por gjimnazi i ka rregullat e veta dhe duhet të vijnë ashtu siç i ka hije një nxënësit të gjimnazit”, thotë ai.
KosovaPress ka kërkuar nga drejtori Rregulloren e cila i jep të drejtë për veprimet që ka ndërmarrë, por një e tillë nuk ekziston.
Drejtori i shkollës thotë se vendimin për mos-lejimin e nxënësve në shkollë me mjekra, e ka marrë në bashkëpunim me Këshillin Drejtues të shkollës.
“Kjo është një rregullore e brendshme e shkollës, nxënësit e shkollave të mesme duhet të vijnë ashtu siç iu ka hije, nuk duhet të shkojnë në ekstreme të asnjërës anë”, thotë ai.
Këtë veprim të drejtorit të gjimnazit “Sami Frashëri”, për Gëzim Kelmendin, deputet i Kuvendit të Kosovës, që njëkohësisht kryetar i partisë “Fjala”, e quan shkelje te të drejtave të njeriut.
“Largimi i nxënësve nga procesi mësimor paraqet shkeljen e Konventave Ndërkombëtare dhe shkeljen e të Drejtave të Njeriut. Për institucionet shkollore duhet të jetë me rëndësi mësimi, edukata dhe sjellja e nxënësve, e jo mjekrat e tyre, ngase mjekra është manifestim publik i bindjeve fetare të cilin e mbron fuqishëm neni 38 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Fundja, Kosova është një shtet i ri që synon integrimin në BE, dhe sjellja e institucioneve ndaj qytetarëve të Kosovës duhet të jetë në harmoni të plotë me praktikat europiane, ku në të gjithë vendet e BE-së respektohen bindjet fetare”, ka thënë Kelmendi.
Edhe për ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Amir Ahmetin, largimi i nxënësve nga shkolla është shkelje e të drejtave të nxënësve.
Sipas tij, drejtori, në këtë rast, ka keqpërdorur të drejtat e tij, që sipas ligjit, i lejohet të vendosë për masa të ndryshme disiplinore.
“Kur ai nxënës qe me vullnetin e tij mban mjekër dhe shkon ne shkolle, drejtori e largon nga shkolla pa mbështetje ligjore, atëherë çka te beje nxënësi, te shkoj ne shkolle sipas obligimit ligjor apo ta le shkollën dhe te beje shkelje ligjore. Kjo i bie, si thotë populli, hyp se t’vrava – zbrit se t’vrava. Kur jemi te ligji, është neni 20 i tij, qe ka lëne shume hapësirë për t’u keqinterpretuar, sepse drejtorit te shkollës i lejohet të vendosë për masa të ndryshme disiplinore dhe ja këtu ai keqpërdor ligjin për të justifikuar veten ndërkohë qe po shkel te drejtën e nxënësit dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi”, ka thënë Ahmeti përmes postës elektronike.
Sipas tij, liria fetare në Kosovë nuk po respektohet aspak, dhe kjo e mbanë larg Kosovën nga standardet europiane.
“E katërta, nëse drejtori ka larguar nxënësit nga shkolla nga urrejtja fetare apo thjeshte nga islamofobia, nuk do të habitem sepse shkelja e te drejtave fetare ne Kosovë nuk është risi, kjo ka ndodhur në të kaluarën dhe po ndodh në vazhdimësi. E me e keqja është se as nuk po shihet driteëne fund te tunelit, qe te vjen koha e respektimit te lirive dhe te drejtave fetare ne vendin tone. Kjo njëherit po pasqyron se sa larg eshte Kosova me standardet evropiane te respektimit te lirive dhe te drejtave fetare”, ka thënë ai.
Kushtetuta e Kosovës, e saktëson lirinë e besimit me anë të nenit 38.
Neni 38 -Liria e Besimit, e Ndërgjegjes dhe e Fesë thotë se: Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë, është e garantuar. Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtarë i një bashkësie ose grupi fetar. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij/saj. Liria e manifestimit të fesë, e besimit dhe e ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose te të drejtave të personave të tjerë.
Edhe e drejta për arsim në Kosovë garantohet me Ligjin për Arsimin Parauniversitar. Në nenin 3 të Ligjit për arsimin Parauniversitar thuhet se ‘asnjë personi nuk guxon t’i mohohet e drejta për arsimim’.
Sipas këtij ligjit qasja dhe përparimi nëpër të gjitha nivelet e arsimit dhe aftësimit parauniversitar do të mundësohet në pajtim me dispozitat e këtij ligji pa diskriminim në baza ekzistuese ose të supozuara, siç është ai: gjinor, racor, i orientimit seksual, i paaftësitë fizike, intelektuale ose i çfarëdo paaftësie tjetër, i gjendjes martesore, i ngjyrës, i fesë, i opinioneve politike apo të tjera, i përkatësisë kombëtare, etnike ose shoqërore, i shoqërimit me ndonjë komunitet, i pronës, i lindjes ose i ndonjë gjendje tjetër të nxënësit apo familjes së tij.
Sot në gjimnazin e shkencave shoqërore “Sami Frashëri” në Prishtinë, bashkë me Nderimin, u përjashtuan nga orët mësimore edhe disa nxënës tjerë, për të njëjtën arsye.
Megjithatë, Nderimi nuk pranon se mjekrën e ka mbajtur për shkak të bindjes fetare, ani pse i përket besimit islam.
“Fetar jam, por mjekrën nuk e mbaj për atë arsye. Fetar jam, mysliman”, thotë ai.
Pasi u larguan nga mësimi, shumë nga nxënësit, bashkë me Nderimin, shkuan dhe hoqën mjekrën, në mënyrë që të nesërmen të mund të vijojnë mësimin./Kp/