Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në fjalën që mbajti në Samitin Botëror Humanitar tha se ka nevojë për një Këshill Sigurimi të vendosur, të shpejtë, transparent dhe që punon sipas parimi të llogaridhënies.
“Këtë problem ne e shprehim me çdo rast dhe themi atë që bota është më e madhe se 5. Të ndëshkosh fatin e njerëzimit me interesat politike të 5 shteteve është një diçka që nuk e nxë as mendja, as ndërgjegjja e as drejtësia”, theksoi kreu i shtetit turk.
Presidenti Erdoan mbajti një fjalim në Sesionin e Parë të Tryezës së Rrumbullakët të Nivelit të Lartë me temë “Lidershipi Politik për Parandalimin dhe Përfundimin e Konflikteve” realizuar në kuadër të Samitit të Kombeve të Bashkuara për ndihmat humanitare që ka nisur punimet sot në Stamboll.
“Qëllimi kryesor i themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) 70 vite më parë ka qenë parandalimi i konflikteve që e ndëshkojnë njerëzimin me vdekjen, shkatërrimin dhe prapambetjen ekonomike”, cilësoi Erdoan dhe vijoi: “Por kur i hedhim një shikim historisë 70-vjeçare të OKB-së vëmë re se Organizata një nga dështimet më të mëdha e ka pësuar në këtë çështje. Këtu kemi përgjegjësi të gjithë, por përgjegjësia më e madhe i takon Këshillit të Sigurimit. Këtë e pamë shumë qartë dhe e përjetuam nga afër në krizën e Sirisë që vazhdon prej 6 vitesh. Përdorimi pa përgjegjësi herë pas here i të drejtës së vetos fatkeqësisht pengon ndërhyrjen në një formë efektive në zgjidhjen e krizave dhe konflikteve. Kurse koston e kësaj e paguan e gjithë bota, kryesisht e paguajnë fëmijët, gratë, civilët. Është e domosdoshme që gjithsecili ta vendosë dorën në zemër dhe të mendojë e hedhë hapat e duhur në lidhje me këtë çështje”.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan mbajti një fjalim në hapjen e Samitit Botëror Humanitar të OKB-së, që ka nisur punimet sot në Stamboll.
Turqia është një vend që e di shumë mirë se dhimbja nuk ka ngjyrë, gjuhë, racë dhe fe, u shpreh Erdoan ndërsa u rikujtoi pjesëmarrësve në Samit se Turqia sot mirëpret më shumë se 3 milionë migrantë sirianë dhe irakianë.
“Dua ta them me një krenari të madhe se edhe nëse vazhdon ky proces i azilit, i migrimit, ne nuk do ti mbyllim asnjëherë dyert tona ndaj njerëzve që ikin nga bombat fuçi, që përballen me rreziqe të mëdha, pa marrë parasysh nëse ata do të jenë sirianë apo irakianë. Nuk do ti mbyllim dyert tona ndaj njerëzimit", u shpreh kreu i shtetit turk.
Me këtë qasje Turqia sot realizon aktivitete në fushën e ndihmave humanitare dhe të zhvillimit në më shumë se 140 vende të botës, shtoi ai.
Erdoan ka pohuar më tej se sistemi aktual fatkeqësisht është i pamjaftueshëm për t’u bërë ballë problemeve emergjente të njerëzimit. Ai ka shtuar se barrën e sistemit që nuk prodhon zgjidhje ndaj problemeve po e mbartin vetëm disa shtete të caktuara dhe ka theksuar se tashmë të gjithë duhet të bëjnë përpjekje në këtë drejtim.
Në hapjen e Samiti Botëror Humanitar në Stamboll mbajti një fjalim edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, i cili u shpreh se ishte prekur nga historitë e suksesshme në kushte të vështira të refugjatëve nga Uganda dhe Siria, të cilët mbajtën fjalim para tij.
Duke vënë në dukje se është emocionuar shumë nga qëndrimet e vendosura dhe përpjekjet e këtyre refugjatëve, Ban falënderoi në mënyrë të veçantë Turqinë për mbështetjen që ka dhënë për këtë samit, i cili është i pari që mbahet në botë mbi ndihmat humanitare.
"Për disa njerëz paraja, fama, pushteti mund të jenë shumë të rëndësishme, por ne këtu përfaqësojmë drejtësinë, shpresën dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët. Ne jemi një njerëzim i vetëm dhe ndajmë përgjegjësi të përbashkëta. Duhet të vihemi në veprim sa më parë që të jetë e mundur, jo vetëm për ti mbajtur njerëzit në jetë, por në të njëjtën kohë t’u ofrojmë atyre mundësi për të bërë një jetë më dinjitoze", u shpreh Ban Ki-moon.
Ceremonia e hapjes së Samitit u zhvillua në Sallonin “Harbiye” të Qendrës së Kongreseve në Stamboll me pjesëmarrjen e rreth 60 kryetarëve të shteteve e qeverive, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-mun si dhe të ministrave dhe përfaqësuesve të tjerë.
Ceremoninë e hapjes e drejtoi aktori amerikan Forest Whitaker. Në këtë ceremoni u shfaqën edhe video me temë nga dramat e sotme njerëzore në vende të ndryshme të botës.
Kurse në sesionin e liderëve të realizuar në mëngjes mbajtën nga një fjalim Presidenti Rexhep Tajip Erdoan dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-mun.
Në këtë mëngjes pune morën pjesë kryetarët e rreth 60 shteteve e qeverive dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Pas këtij sesioni liderët bënë edhe fotografinë familjare.
Në Samit do të mbahen sesione, ku liderët botërorë do të deklarojnë mendimet e tyre për ta çuar më përpara dokumentin e “Agjendës së Humanitarizmit” si dhe do të organizohen tryeza të rrumbullakëta të nivelit të lartë, ku liderët do të kenë mundësi të shprehin angazhimet e tyre të fuqishme ndaj problemeve me të cilat përballet bota sot në kontekstin e krizave njerëzore.
Në Samitin Botëror të OKB-së për Ndihmat Humanitare do të zhvillohen 7 tryeza të rrumbullakëta, 15 sesione të posaçme dhe 120 aktivitete të tjera.
Samiti synon përcaktimin e strategjive për ndihmat humanitare dhe të politikave më efektive ndaj situatave emergjente. Përmes këtij samiti Turqia do të ndajë me vendet pjesëmarrëse përvojën e saj në fushën e emergjencave dhe ndihmave humanitare.
Planifikohet që programi i ditës së sotme të samitit të përfundojë me darkën që Presidenti Erdoan do të shtrojë për nder të krerëve të delegacioneve.











































