SHBA sulmon me raketa Sirinë, Irani dhe Rusia kundër, Arabia Saudite dhe Turqia mbështesin operacionin

Pentagoni ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë goditur me 59 raketa Tomahawk një bazë ajrore të ushtrisë siriane, për të cilën zyrtarët amerikanë besojnë se është përdorur për të kryer sulmin vdekjeprurës kimik, raporton Anadolu Agency (AA).

Të dhënat fillestare të Pentagonit flasin se janë dëmtuar rëndë ose janë shkatërruar aeroplanë sirianë bashkë me infrastrukturën mbështetëse dhe pajisjet që ndodheshin në aeroportin ushtarak Shayrat.

Raketat ishin shkrepur nga dy shkatërruesit e SHBA-ve në Mesdheun lindor dhe goditën bazën ajrore ku për objektiv kanë pasur avionët, strehimoret e avionëve, naftën dhe logjistikën, bunkerët për furnizim me municion, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe radarët.

Kundër kësaj ndërhyrje kanë dalë Rusia dhe Irani.

Ndihmës përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Vladimir Safronkov, ka paralajmëruar SHBA-të se ndërhyrja ushtarake në Siri do të "ketë rezultate negative".

Safronkov, ka bërë disa deklarata për gazetarët pas seancës së mbyllur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua për sulmin kimik i kryer në qytetin Idlib të Sirisë.

"Nga rezultatet negative të ndërhyrjes ushtarake do të jenë përgjegjës ata që kanë nisur këtë iniciativë të dyshimtë dhe tragjike", ka paralajmëruar Vladimir Safronkov.

Ndaj pyetjes se çfarë do të jenë rezultatet negative Safronkov është përgjigjur "Shikoni Irakun dhe Libinë".

Në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, zëdhënësi i ministrisë Behram Kasimi citohet të ketë thënë se "E dënojmë fuqishëm sulmin e SHBA-ve në bazën ajrore Shajrat, duke treguar si arsyetim sulmin kimik në Siri."

Sipas deklaratës, Kasimi është shprehur se "hapat e këtilla të njëanshme" i bëjnë edhe më të ndërlikuara problemet në Siri dhe rajon.

Aksionin e kanë mbështetur Arabia Saudite dhe Turqia.

"Mbështesim plotësisht operacionet ushtarake të SHBA-ve ndaj regjimit sirian, pasi regjimi i Asadit vrau dhjetëra civilë të pafajshëm, përfshirë gra dhe fëmijë, duke përdorur armë kimike", thuhet në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite.

Në deklaratë thuhet se përgjegjësia e vërtetë për operacionet në fjalë bie mbi regjimin e Sirisë. "Përgjegjësia për operacionet ushtarake në territorin e Sirisë bie mbi regjimin e Asadit, për arsye të sulmeve të tij të tmerrshme ndaj popullit sirian prej disa vitesh", theksohet më tej në deklaratë.

Deklarata më tej nënvizon se komuniteti ndërkombëtar kishte ngelur i heshtur ndaj vrasjeve të popullatës civile nga regjimi i Asadit dhe se vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për "të goditur objektivat ushtarake", është hap motivues.

Ministria e Jashtme e Turqisë ka theksuar se e konsideron "tejet pozitiv" operacionin e Shteteve të Bashkuara (SHBA) ndaj bazës ushtarake Shajrat në Siri pas sulmit me armë kimike në Han Shejhun nga regjimi i Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

"Pas sulmit kimik në Han Shejhun nga regjimi i Sirisë, që sipas ndërgjegjes njerëzore dhe vlerësimit të organizatave ndërkombëtare paraqet shembullin e fundit të krimeve ndaj njerëzimit dhe krimeve të luftës qoftë me armë konvencionale, qoftë me armë kimike, operacioni amerikan ndaj bazës ushtarake Shajrat në orët e mëngjesit është pritur si tejet pozitiv", thuhet në deklaratën me shkrim nga ministria.

Operacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Siri, e ka mbështetur edhe Shqipëria.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në një mesazh në profilin e tij zyrtar në Twitter është shprehur se "Bombardimet amerikane në Siri janë një përgjigje e fortë dhe e nevojshme e administratës amerikane kundër përdorimit të armëve kimike nga regjimi i Asadit."


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat