ANKARA (AA) - Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në lidhje me operacionin që planifikohet të bëhet në lindje të Lumit Eufrat në Siri, tha se "Duhet ta kuptojnë këtë. Operacioni ynë kundrejt YPG-së nuk varet nga tërheqja ose mostërheqja e SHBA-ve", transmeton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu iu përgjigj pyetjeve në lidhje me zhvillimet aktuale në emisionin drejtpërdrejt të kanalit televiziv turk, NTV.
Ai duke vlerësuar zhvillimet e fundit në lidhje me vendimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për tërheqje nga Siria, tërhoqi vëmendjen se prania e PYD/YPG/PKK-së në aspektin e paqëndrueshmërisë së rajonit është një rrezik shumë i madh.
"Kur hyni në angazhim me një organizatë terroriste fatkeqësisht nuk mund të shpëtohemi nga efekti i saj. Dalëngadalë hyni edhe në kontrollin e tyre. Një shtet kaq i madh të flas si mbështetës i organizatës terroriste përkundër aleancës sonë në NATO, bashkëpunimit tonë të deritanishëm, e sidomos të strehohet pas arsyetimeve të këtilla për të mos u tërhequr, nuk është e drejtë. Një shtet kur premton duhet ta përmbushë atë. Edhe Recep Tayyip Erdoğan edhe Turqia qëndron pas premtimit të dhënë", u shpreh Çavuşoğlu duke treguar presionet e YPG/PKK-së së mbështetur nga SHBA-të ndaj popullatës së rajonit.
Ai gjithashtu tregoi se SHBA ka filluar të shikojë më pozitiv ndaj zbatimit të udhërrëfyesit të Munbixhit. Ai shtoi se kjo duhet zbatuar sa më shpejt dhe që YPG të tërhiqet tërësisht nga lindja e Eufratit.
"Duhet ta kuptojnë këtë. Operacioni ynë kundrejt YPG-së nuk varet nga tërheqja ose mostërheqja e SHBA-ve. Kur nuk kishte një vendim të tillë presidenti ynë tha se do të hyjmë edhe në lindje të Eufratit dhe do të fillojmë një operacion. As ne nuk e dinim atë ditë se SHBA-të do të tërhiqen", tha Çavuşoğlu.
Kryediplomati turk tha se edhe nëse tërhiqet ose nuk tërhiqet SHBA-ja, Turqia do të bëjë atë që nevojitet kundër organizatës terroriste që kërcënon sigurinë kombëtare të saj.
- Takimi Erdoğan-Putin
Çavuşoğlu gjithashtu njoftoi se mes presidentit turk Erdoğan dhe atij rus Vladimir Putin planifikohet një samit dypalësh dhe samit trepalësh në formatin e Astana-s.
"Planifikohen dy takime. Njëri takim dypalësh. Si dhe siç dini, takimi trepalësh që filloi në Soçi. Mund të themi formati i Soçit ose i Astana-s", tha ai.