20 vjet nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë

Përvjetori i Ditës së Çlirimit në Kosovë kujton tek qytetarët triumfin ndaj agresorit, por edhe rikthimin e mijërave kosovarëve në shtëpi të cilët para 20 vitesh braktisën vendin duke jetuar si refugjatë jashtë Kosovës.

Kosova në luftën që Republika Federale e Jugosllavisë veçse e kishte nisur në vitin 1998, po bënte rezistencë nëpërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Nga masakrat, djegiet e shtëpive dhe maltretimet që emetuan mediat vendore e të huaja, bota arriti të njoh qartë fytyrën e kësaj lufte që po zhvillohej në Ballkan. Nga marsi i vitit 1999 deri në qershor të të njëjtit vit NATO-ja me sulme ajrore kishte ndërhyrë në Kosovë, duke pasur cak disa zona dhe baza të ushtrisë së ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, për ta ndaluar dhunën ndaj popullatës civile kosovare dhe spastrimin etnik të tyre.

Më 12 qershor, sulmet ajrore të NATO-s pushuan, për t’u futur këmbësoria e NATO-s në territorin e Kosovës dhe për t’i larguar forcat jugosllave-serbe nga aty. E gjithë kjo nën urdhrin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në atë kohë, Javier Solana, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

- "Serbia luftën e bënte kryesisht kundër civilëve"

Historiani dhe profesori universitar, Ibrahim Gashi, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) thotë se viti 1997 ishte momenti i kalimit nga lëvizja paqësore në lëvizje të rezistencës së armatosur nga pala kosovare. Sipas tij, kjo ndarje ndodhi pikërisht më 21 tetor të vitit 1997, në protestat e studentëve kosovarë.

Sipas historianit Gashi, dalja publike e UÇK-së më 28 nëntor të vitit 1997 në varrimin e mësuesit Halil Geci, të vrarë nga forcat jugosllave, filloi t’i heqë dilemat edhe te qytetarët e Kosovës se nuk arrihet çlirimi pa luftë, ndërsa sulmi i familjes Jashari në vitin 1998, tha ai, i dha impuls masivizimit të UÇK-së.

"Serbia nuk e llogariti një faktor, e ky ishte se ajo nuk bënte luftë vetëm kundër ushtarëve të UÇK-së, se mbase do të kishte edhe njëfarë leje për ta bërë atë luftë. Por, ajo luftën e bënte kryesisht kundër civilëve dhe kjo çoi në një ndryshim të qëndrimit të faktorit ndërkombëtar përballë luftës së UÇK-së dhe përballë luftës që po bënte Serbia kundër Kosovës", thekson Gashi.

Për njerëzit dhe faktorët që çuan deri te ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, Gashi përmend aktorë vendorë dhe ndërkombëtarë. Sipas tij, falënderimi për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s duhet të shkojë drejtpërdrejt te presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton dhe kryeministri i atëhershëm britanik, Tony Blair.

Historiani kosovar po ashtu thekson se në këtë ndërhyrje edhe Turqia ishte një aleat aktiv në luftën e Kosovës në fazën e para-bombardimeve me ndihmat në Kosovë dhe në fazën e bombardimeve me angazhim konkret ushtarak, por edhe pas fazës së bombardimeve me ndihma për refugjatët dhe periudhën rindërtuese të Kosovës.

- Lufta dhe çlirimi në sytë e dëshmitarëve

Ata që e kanë përjetuar Ditën e Çlirimit në Kosovë rrëfejnë histori të ndryshme të hidhura nga dimensione të ndryshme, por e përbashkët e të gjithëve ka qenë gëzimi i madh për lirinë.

Vështirësitë e popullatës civile para ndërhyrjes së NATO-s dhe ditën kur ndodhi çlirimi i rrëfejnë edhe banorë të fshatrave përreth Fushë Kosovës, zonë rreth 20 kilometra larg Prishtinës. Dëshmitari i kësaj lufte, Ali Berisha nga fshati Grabovc, tregon se ka pasur moment kur i gjithë fshati i tyre ka qenë i rrethuar nga ushtarët jugosllavë dhe me mundësi minimale për të rezistuar.
"I sollëm popullatën nëpër shtëpi të djegura... nuk kishim. Me plastika dhe tenda në vend të shtëpive, sepse shtëpitë të gjitha (të djegura), me themel. Dhe, derisa u qetësuan, madje shpesh më thoshin (popullata), vetëm ujë pusi të kemi për të pirë është mjaftueshëm, nuk dëshirojmë më shumë. Kanë vuajtur si gjarpri nën gurë. Nuk kishim si mos t’i mbronim se do të pësonin të gjithë", thotë Berisha për AA.

Edhe Isak Qolli, banor i Bardhit të Madh, që ka lëvizur në këto anë, thotë se Dita e Çlirimit u solli gëzim, por njëherësh edhe trishtim kur panë gjendjen në këto fshatra.

"Këtu (në Grabovc), ka qenë sikur të binte ndonjë bombë e Hiroshimës. Ka qenë gjithçka e djegur, gjithçka shkrumb dhe mos të flasim pastaj për vendet urbanistike sepse Bardhi i Madh i ka rreth 1.200 shtëpi. Ka qenë katastrofë sikur ta shihje. Të gjitha kanë qenë të rrënuara. Mirëpo, megjithatë, liria është më e shtrenjtë", tregon Qolli.

- Kosova pas çlirimit

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), i cili do të administronte vendin deri në 17 shkurt të vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Sot, 20 vjet pas zbarkimit historik të NATO-s, rreth 5.000 trupa të tyre vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Numri i tyre është zvogëluar vit pas viti, bazuar në vlerësimet e situatës së sigurisë.

Megjithëse tani, marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë konsiderohen ende në krizë. Bisedimet e nisura midis dy vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) edhe pse afër epilogut janë bojkotuar nga Serbia, për shkak të taksës 100 për qind të vendosur vitin e kaluar nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe. Kosova pret që Serbia ta njohë shtetësinë e saj, në mënyrë që të dyja vendet të vazhdojnë rrugën e tyre të integrimit të plotë evropian./AA/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat