Shqipëria është goditur nga një tërmet i fuqishëm, i cili ka shkaktuar paraprakisht 9 personatë vdekur, dhjetëra të plagosur dhe dëme materiale në disa qytete të vendit.
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë tërmeti ishte me magnitude 6,4 ballë sipas shkallës rihter, ndërsa ky institucion ka konfirmuar se nëntë persona ka humbur jetën.
Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Shqipërisë (IGJEUM), ka njoftuar se tërmeti kishte epiqendrën 15 kilometra larg nga qyteti i Durrësit me një thellësi prej 38 kilometrash.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në spitalet e Tiranës, Durrësit, Krujës, Kurbinit dhe Lezhës kanë marrë shërbim mbi 600 të lënduar si pasojë e tërmetit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes raportohet për dëme materiale, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe efektivët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë janë angazhuar për të ndihmuar banorët nën rrënoja.
"Pezullohet mësimi në gjithë territorin për sot, datë 26 nëntor 2019. Për ditët në vijim ju njoftojmë në fund të ditës." njoftoi Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë qytetarët të përfshirë nga paniku kanë braktisur shtëpitë duke qëndruar në ambiente të jashtme, pasi janë regjistruar edhe lëkundje të tjera.
Tërmeti ka shkaktuar probleme të shumta në telekomunikacion, dhe ndërprerje të energjisë elektrike në qytetet e vendit.
Tërmeti është ndjerë edhe në Maqedoninë e Veriut, nëp Kosovë dhe në Mal të Zi.
Kujtojmë se Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë u goditën më 21 shtator nga një tërmet me një magnitudë 5.8 sipas shkallës Rihter, i cili u vlerësua nga autoritetet si "tërmeti më i fuqishëm në 20-30 vitet e fundit"./AA/