Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti i sotëm në Shqipëri vazhdojnë edhe në orët e vona, pavarësisht kushteve të vështira dhe errësirës në të cilat punojnë ekipet e kërkimit dhe shpëtimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Sot, Shqipëria u godit nga dy tërmete të fuqishme, me epiqendër në Durrës në orën 3:55 me magnitudë 6,3 në thellësi 10 kilometra dhe më vonë me një magnitudë 5 në Kepin e Rodonit.
Deri më tani jetën e kanë humbur 21 persona, mbi 600 janë lënduar, ndërkohë po thuajse 50 persona janë shpëtuar nga rrënojat si pasojë e tërmetit.
Pas goditjes së dytë janë shënuar mbi 100 goditje dytësore dhe autoritetet thonë se situata mbetet ende aktive. Në qarkun Durrës dhe qytete të tjera të Shqipërisë qytetarët të përfshirë nga paniku kanë braktisur shtëpitë duke qëndruar në ambiente të jashtme.
Në zona të ndryshme të Durrësit janë ngritur tenda, ku janë vendosur personat të cilët pësuan nga tërmeti.