Morali i mirë

Të gjithë njerëzit e duan njeriun që ka moral të mirë dhe është fytyrëqeshur. Për këtë arsye, Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, na nxiti të pajisemi me moral të mirë, të kemi dashuri për njerëz dhe të shoqërohemi me ta.

Andaj, i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk ka gjë më të rëndë në peshoren e besimtarit, në Ditën e Gjykimit, sesa morali i mirë dhe, vërtet, Allahu e urren njeriun e pamoralshëm”.

Po ashtu, ka thënë: “Besimtarët më të mirë janë ata që kanë moral më të mirë”.

Gjithashtu, ka thënë: “Me të vërtetë, besimtari me moral të mirë arrin shkallën e atij që falet shumë dhe të atij që agjëron shumë.”

Njëherë, i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, u pyet për një grua që agjëronte ditën dhe falte namaz natën (vullnetarisht), porse i fyente fqinjët e saj, ndërsa ai u përgjigj: “Ajo është në zjarr”.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, po ashtu ka thënë: “Nëse njeriu nuk i lë fjalët e këqija dhe të vepruarit me to, atëherë Allahu nuk ka nevojë që ai të ndalohet nga ushqimi dhe pirja.”

 

Ahmed El-Mezjed

Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com