KBI – Prishtinë kundër të ashtuquajturës sindikata e punonjësve të BIRK-së

Këshilli i Bashkësisë Islame në Prishtinë në mbledhjen e mbajtur më 13.09.2011 ditë e martë, me Imamët dhe punonjësit e tij, përkitazi me zhvillimet e fundit dhe paraqitjen e së ashtuquajturës Sindikata e punonjësve të BIRK-së , si dhe paraqitjes së tyre si përfaqësues tanë dhe mbrojtës së interesave tona, ne Imamët e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës deklarojmë me sa vijon:

1. E ashtuquajtura Sindikatë e punëtorëve të BIRK-ut, në asnjë variant nuk na përfaqëson dhe nuk e ka përkrahjen tonë. Për themelimin e saj ne kemi dëgjuar vetëm përmes mjeteve të informimit, andaj i bëjmë me dije opinionit dhe xhematit tonë të respektuar se ne nuk kemi të përbashkët asgjë me paraqitjen e sindikalistëve të BIRK-së.

Ne, punën dhe aktivitetin tonë e zhvillojmë në kuadër të institucioneve kushtetuese të BIRK-së, ku jemi të përfaqësuar në mënyrë dinjitoze sipas normave kushtetuese e statusore.

E ashtuquajtura Sindikatë e punonjësve nuk përfaqëson interesat e Imamëve dhe të punësuarve të tjerë, ne nuk e përkrahim e as që pranojmë organizma që janë në funksion të një grupi të caktuar, në funksion të përçarjes e hutisë, dhe në funksion të apetiteve karrieriste, që dëmtojnë rëndë prestigjin dhe vlerat e Imamit dhe të BIRK-së. Kërkojmë nga të vetëquajturit prijatarë të Sindikatës, që në asnjë mënyrë të mos thirren e as të paraqitën në emrin tonë, sepse ne njohim dhe përkrahim vetëm strukturat legale e kushtetuese të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës

2. Islami tradicional përfaqësohet nga të gjithë Këshillat e Bashkësisë Islame, e jo nga sindikatat që formohen brenda natës.

3. Po ashtu kërkojmë nga të gjitha partitë politike dhe asociacionet jo politike dhe individë të ndryshëm që mos ti politizojnë e keqpërdorin kërkesat e besimtarëve për arsim, shami, shkollim e punësim, të cilat i konsiderojmë të ligjshme. Kërkojmë nga Kryesia e BIRK-së dhe nga Myftiu Tërnava që te ndërmerr hapat e paraparë konform kushtetutës së BIRK-së në lidhje me kërkesat legjitime të besimtarëve.

 

 

Këshilli i Bashkësisë Islame – Prishtinë

K R Y E T A R I

Bahri Sejdiu