Askush nuk e do vdekjen, të gjithë ikin nga ajo, madje shumëkush as që dëshiron të dëgjojë për të, edhe pse prej saj nuk ka shpëtim, siç thotë Allahu i Madhërishëm:
Thuaj: “Vdekja prej së cilës po ikni, do t’ju arrijë. Pastaj, ju do të ktheheni tek Ai, i Cili e di të padukshmen dhe të dukshmen dhe Ai do t’ju njoftojë ju për atë që keni bërë.” [Kuran 62:8].
I Madhërishmi po ashtu thotë:
Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni. [Kuran 21:35].
Por, a e dini se do të vijë një ditë, kur jobesimtarët do ta kërkojnë vdekjen por nuk do ta gjejnë atë?!
Ja çfarë i shkroi një njeri i urtë vëllait të vet: “Vëllai im, ruaju vdekjes në këtë botë para se të shkosh në një botë ku do ta kërkosh vdekjen, por nuk do ta gjesh.”
E dini se kur është kjo ditë?! Që ta kuptoni këtë, dëgjoni fjalët e të Dërguarit të Allahut, Muhammedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, të cilat na i përcolli Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij:
“Kur të hyjnë banorët e xhenetit në xhenet dhe banorët e zjarrit në zjarr sillet vdekja dhe vendoset mes xhenetit dhe xhehenemit. Pastaj theret ajo dhe thërret një zë: “O banorë të xhenetit nuk ka më vdekje, o banorë të zjarrit nuk ka më vdekje!” Kjo ua shton xhenetlinjve edhe më shumë gëzimin, kurse xhehenemlinjve ua shton edhe më shumë dëshpërimin.”(Buhariu 6544)
Pra edhe vdekja do të vdesë...
Pa më thoni, a ka dëshpërim më të madh për jobesimtarët sesa kur do t’i humbasin shpresat se do të shpëtojnë ndonjëherë nga dënimi i Allahut!
Atëherë, i nderuar vëlla dhe ti e nderuar motër, a ia vlen ta humbasim botën e amshueshme për këtë botë të shkurtër, kalimtare! Jo, për Zotin, kjo botë tek Allahu nuk peshon as sa krahu i mizës, kështu që ktheju Krijuesit tënd dhe shfrytëzoje këtë botë për ta fituar xhenetin, gjerësia e të cilit është sa qiejt e Toka, sepse vërtet kjo është fitorja më e madhe. Ja se ç’thotë Allahu i Lartësuar:
Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese. [Kuran 3:185].
Për ta kuptuar më së miri gjendjen e jobesimtarëve dhe atë të besimtarëve në Ditën e Gjykimit, lexoni Fjalët e Allahut të Lartësuar në ajetet e fundit të sures “El-Mu’minunë”:
99. Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe,
100. që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) ethotë! Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse (jeta e varrit), deri në ditën kur do të ringjallen.
101. Kur të fryhet në Sur (Ditën e Ringjalljes), atëherë, midis tyre nuk do të ketë lidhje farefisnore dhe ata as që do të pyesin për njëri-tjetrin.
102. Ata, që u rëndohet peshorja (e punëve të mira), janë të shpëtuar.
103. Sa për ata që do të kenë peshore të lehta, mu ata do të jenë (njerëzit) që kanë humbur vetveten, duke qëndruar përherë në Xhehenem.
104. Zjarri do t’ua përcëllojë fytyrat dhe buzët (aq sa do t’u duken dhëmbët).
105. (Dhe atyre do t’u thuhet): “Vallë, a nuk ju lexoheshin Shpalljet Tona dhe i quanit ato gënjeshtra?!”
106. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, neve na mposhti e keqja (tekat dhe dëshira) jonë dhe ishim një popull i humbur.
107. O Zoti ynë, nxirrna prej Xhehenemit e, nëse kthehemi prapë tek e keqja, atëherë jemi keqbërës të vërtetë.”
108. Ai do t’u thotë: “Rrini aty të përbuzur dhe mos Më flisni asgjë!”
109. Mes robërve të Mi, ishte një grup i cili thoshte: “O Zoti ynë, ne kemi besuar, andaj na fal dhe na mëshiro! Ti je më i miri i mëshiruesve!”
110. Por ju (o jobesimtarë) i keni tallur ata (aq shumë), sa ju bënë të më harronit Mua së përmenduri, e përherë i përqeshnit ata.
111. Unë i kam shpërblyer ata sot për durimin e tyre e ata, me të vërtetë, janë të shpëtuar.
112. Ai do t’u thotë (jobesimtarëve): “Sa vjet keni qëndruar në Tokë?”
113. Ata do të përgjigjen: “Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë dite. Pyesni ata që i kanë numëruar!”
114. Ai do të thotë: “Keni qëndruar shumë pak. Eh, sikur ta kishit ditur!
115. Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!”
116. I lartësuar është Allahu, Sundimtari i Vërtetë! S’ka zot tjetër të vërtetë, përveç Atij, Zotit të Fronit Madhështor!
117. Ai që pos Allahut, adhuron zot tjetër, duke mos pasur kurrfarë prove për këtë, me siguri do të japë llogari vetëm te Zoti i tij. Me të vërtetë, nuk ka shpëtim për mohuesit.
118. Dhe thuaj (o Muhamed!): “O Zoti im, fal dhe mëshiro, se Ti je më i miri i mëshiruesve!”
Jusuf Kastrati – Shembulli.com