Filluan të më pyesin për një natë të madhe që njihet në popull si nata e madhe e Regaibit.
Po, njihet kjo natë si natë e madhe, dhe ja disa “hadithe” që flasin për “madhësinë” e kësaj nate:
- “Ai që e vlerëson natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep (Nata e Regaibit), Allahu i madhëruar nuk e dënon në varr”.
- “Kujdes, përpiqu të rrish zgjuar natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep, të mos e kalosh atë në shkujdesje, sepse melaqet asaj nate ia kanë vënë emrin Regaib!”.
- “Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti im, nuk ka ndonjë rob apo robëreshë e cila e falë këtë namaz, përveçse Allahu ia falë të gjitha mëkatet, qofshin ato edhe sa shkuma e detit, sa numri i zallit, sa pesha e kodrave apo sa gjethet e drunjëve, dhe ia mundëson të ndërmjetësojë në Ditën e Gjykimit për shtatëqind vetë nga familja e tij, të cilëve iu është bërë obligim zjarri”.
Të nderuar!
Këto hadithe dhe hadithet tjera që flasin për natën e Regaibit nuk janë as hadithe “daife”, e mos të flasin për hadithe “sahih, hasen”, të gjitha janë hadithe të trilluara e shpikura, këtë e thanë të gjithë dijetarët e shkencës së hadithit. Këtë e thotë Imam Neveviu, Shevkniu, Dhehebiu, Askalaniu, Mulla Alij El-Karijj.
Të nderuar!
Kjo natë është trilluar nga sufist i quajtur Ali ibn Abdil-lah ibn Xhehdam, 400 vjet pas vdekjes së Muhamedit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Kjo natë kështu nuk është njohur as në kohën e katër halifëve, as në kohën e katër imamëve të medhhebeve.
Të nderuar!
Kjo është një traditë e shpikur, që aspak nuk ka të bëjë me traditën pejgamberike.
Është adet aspak nuk është ibadet.
Është bidat aspak sunet.
E rëndësishme është që besimtarët të njihen me sunetin pajgamberik dhe kështu të ringjallet suneti e të vdes bidati dhe traditat e “çirave”, “havllave”, “shtatave”. Na mjaftojnë hadithet e sakta, sunetet e vdekura të ringjallen. Të mësohen muslimanët ta adhurojnë Allahun ashtu si kërkon Allahu dhe si na mësoi Pejgamberi i Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të.
Të enjten nuk është natë (ditë) e madhe, gjoja Regaibi. Nuk ka as adhurim të veçantë, e as namaz të veçantë, edhe një herë të gjitha “hadithet” që flasin për vlerën e kësaj, janë përralla.
I nderuar!
Ke ditë të rëndësishme siç janë dita e hënë dhe e enjte e çdo jave, në të cilat Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, agjëroi.
Ktheju sunetit pejgamberik, agjëroi këto dy ditë për çdo javë, kështu fillo t’i ringjallësh sunetet. Pastaj vazhdo me agjërime tjera vullnetare.
Ktheju sunetit pejgamebrik fillo me falë namaz nate për çdo natë, e jo vetëm në një natë të ashtuquajtur Regaib, edhe kjo e trilluar.
Për fund, lus Allahun të na udhëzoj në rrugën Kuran dhe Sunet.
Hoxhë Ulvi Fejzullahu