Me kërkesën e partnerëve të koalicionit PDK-LDK, është shtyrë vazhdimi i seancës së Kuvendit ku duhej të votohej për qeverinë e re. Deputetët e PDK-së dhe LDK-së, Adem Grabovci dhe Ismet Beqiri, në emër të grupeve më të mëdha parlamentare të koalicionit qeverisës, kanë kërkuar që të shtyhet seanca e Kuvendit për nesër në orën 12:00.
Deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, tha se “Në konsulte me grupin parlamentar te LDK-së, kërkojmë që seanca të shtyhet për nesër në ora 12:00”.
Edhe Ismet Beqiri i LDK-së ka konfirmuar të njëjtën gjë.
Kundër shtyrjes së seancës ishin deputetët e AAK-së, VV-së dhe Nismës për Kosovën.
Donika Kadaj- Bujupi tha se partia e saj është kundër shtyrjes së seancës. Ajo i pyeti partnerët e koalicionit nëse shkas për shtyrjen e seancës është mospërfundimi i pazareve?
Edhe deputeti i VV-së, Visar Ymeri dhe ai i Nismës për Kosovën ,Zafir Berisha kanë kundërshtuar shtyrjen e seancës.
Pasi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, hodhi në votim propozimin e PDK-së dhe LDK-së për shtyrje të seancës, Kuvendi me shumicë votash vendosi që vazhdimi i seancës të shtyhet për nesër në orën 12:00. /Telegrafi/