GJND hedh poshtë akuzën e Kroacisë kundër Serbisë për gjenocid

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka hedhur poshtë padinë e Kroacisë kundër Serbisë për gjenocid gjatë luftës në vitet nëntëdhjetë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kroacia nuk arriti të provojë akuzat për gjenocid të kryer dhe nuk ka përgjegjësi ndaj Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit, thuhet ndër të tjera në verdiktin e lexuar nga Kryetari i Gjykatës, Peter Tomka.

Duke lexuar vendimin, Tomka ndër të tjera tha se në aspektin e nenit IX të Konventës për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit, para 27 prillit 1992 nuk mund të konsiderohet se Serbia ishte përgjegjëse për gjenocid. Ai shtoi se Republika Federale e Jugosllavisë u themelua më 27 prill 1992, kështu që në këtë mënyrë veprat e kryera para kësaj date nuk mund të shihen si shkelje e Konventës.

"Shteti që vetëm sa është bërë nënshkruese e Konventës nuk mund të konsiderohet përgjegjëse në mënyrë retroaktive për gjenocid sipas nenit nëntë të Konventës", ka thënë gjykatësi Tomka.

Nëse bëhet fjalë për veprat e kryera para 27 prillit, Kroacia konsideron se këto vepra duhet ti atribuohen shtetit (Serbisë). Kroacia pretendon se Republika Federale e Jugosllavisë ka trashëguar detyrat e Republikës Popullore Federale të Jugosllavisë, dhe në këtë mënyrë edhe përgjegjësinë për respektimin e Konventës.

Gjykata iu referua Tribunalit të Hagës për çështjen e Vukovarit, i cili ka marrë përfundimin se duke marrë parasysh se shumë kroatë në Vukovar janë evakuuar, ekzistimi i qëllimit për të shkatërruar fizikisht popullatën e Vukovarit nuk është i vetmi përfundim.

Shtohet se nga gjetjet e Tribunalit të Hagës del se dëbimi i kroatëve ishte element për themelimin e shtetit homogjen serb, "kështu  që dëbimi i kroatëve nuk nënkuptonte shkatërrimin e tyre fizik", ndërsa veprat penale të kryera nga forcat e APJ-së kishin për qëllim detyrimin e popullsisë kroate të largohen nga këto zona, thuhet në verdikt.

Pas dhënies së këtij, Gjykata Ndërkombëtare ka vazhduar me shqiptimin e aktgjykimit në kundër-padinë e Serbisë. Ndërkohë, Kroacia e ka dërguar rastin një GJND në vitin 1999, duke e akuzuar Serbinë për gjenocid gjatë luftës së viteve 1991-1995.

Beogradi e ka paraqitur një kundër-padi në vitin 2010, me pretendimin se serbët etnikë janë detyruar të zhvendosen, kur Kroacia kishte filluar operacionin ushtarak në kërkim të territoreve të saj.

Të dy vendet në paditë e tyre u referohen Konventës së Kombeve të Bashkuara për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit nga 1948.

Kroacia akuzon Serbinë për vdekjen e 12.500 njerëzve, vrasjen e 7.700 të burgosurve dhe shkatërrimin e 1.500 objekteve fetare. Nga Serbia kërkohen të dhëna për varret masive, individuale dhe të mesme në Kroaci dhe Serbi dhe për të zgjidhur fatin e 865 kroatëve të zhdukur.

Serbia në kundër-padinë pretendon se në aksionin e Ushtrisë kroate "Oluja" janë vrarë 1.719 dhe janë detyruar të zhvendosen 250.000 shtetas kroat të nacionaliteti sev. Kërkohet që Kroacia të dënojë autorët e gjenocidit, të krijojë kushte për kthimin e të zhvendosurve serb dhe respektimin e të drejtave të tyre qytetare dhe njerëzore.

Edhe Kroacia dhe Serbia në paditë e tyre kërkojnë dëmshpërblim për të cilin GJND do të vendoste pas përfundimit të procedurës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 2007, në procedurë e ngjashme ka marrë vendimin në lidhje me padinë e Bosnjë dhe Hercegovinës kundër Serbisë kur vendosi se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi kundër boshnjakëve, por se për atë nuk ishte përgjegjëse udhëheqja  e atëhershme e Serbisë.

Kjo gjykatë që nga themelimi i saj nga Kombet e Bashkuara në vitin 1945, pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ka sjellë asnjë aktgjykim për gjenocid kundër një shteti.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat