Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ministri për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq, nuk do të jetë më pjesë e kabinetit qeveritar.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka trashëguar shumë nga problemet e grumbulluara ndër vite që kanë të bëjnë me zhvillimin e ekonomik dhe nivelin e lartë të korrupsionit e krimit të organizuar, ka thënë kryeministri Isa Mustafa, në një konferencë për shtyp.
“Kosova ka mbetur i vetmi vend izoluar për të cilin zbatohet regjimi i vizave. Po ikin shumë qytetarë të rinj që kërkojnë shpëtim në vendet tjera. Kjo flet për një gjendje të rënd, por edhe për problemet tjera ekzistuese. Kemi mirëkuptim për këto probleme dhe kjo do të ndikojë që me programin qeverisës të zgjidhen këto për zhvillim ekonomik dhe punësim më të lartë dhe luftë kundër krimit dhe korrupsionit”, ka thënë Mustafa, transmeton Telegrafi.
Kryeministri i vendit thotë se është angazhuar edhe me komunat që të trajtojnë problemet e qytetarëve, ndërsa shton se do të angazhohet po ashtu për integrimin e veriut dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit me të gjitha komunitetet, sidomos atë serb.
“Mbështeti dialogun në Bruksel për çështjet që janë të diskutueshme me Serbinë, për një stabilitet rajonal, e që Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës”, tha ai. “Do të punojmë me të gjitha komunitetet tona që ta njohin çdo pëllëmbë Kosove si të tyren e jo që të diskutojnë për territorin tonë e çështjet e sovranitetit të Republikës së Kosovës”.
Mustafa tha se do të zbatojnë marrëveshjet që janë nënshkruar më parë me Serbinë dhe se do të realizojë premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore.
“Por, jemi të kufizuar në bazë të buxhetit që kemi”, tha ai. “Do të mundësojmë që kontrata kolektive të zbatohet për përvojën e punës për të gjithë sektorët. Nuk jemi në gjendje të përballojmë ngritjen e pagave për 25 për qind. Kemi kërkuar mirëkuptim nga sindikatat dhe kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët. Pagat te ne nuk janë të ulëta në krahasim me vendet e regjionit. Rritjen e pagave tash e lidhim me pamundësinë që ta përballojmë rritjen e tyre”
Ai ceku edhe protestat sa i përket ministrit për Kthim Aleksandar Jabllanoviq dhe Trepçës.
“Jabllanoviq nuk është më pjesë e kabinetit qeveritar”, tha Mustafa, pa dhënë detaje tjera.
Ndërsa, sa i përket Trepçës tha se po të mbetej ajo ashtu siç ishte, do të futej në falimentim.
“Kjo qeveri ka marrë vendim që ta ndryshojë Ligjin për Trepçën. Kemi propozuar plotësim të ndryshimit të Ligjit për Ndërmarrjet Publike që mundëson që Trepça të definohet me një ligj dhe strategji të veçantë. Asnjë vendim për Trepçën e të tjerat nuk bëhet pa i konsultuar partnerët, grupet e interesit e qytetarët”, tha Mustafa. /Telegrafi/