Shënohet 17 vjetori i Epopesë së UÇK-së, Bekim Jashari ndihet i turpëruar

Shënimi i sivjetshëm i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me rastin e 17 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, në betejën e Prekazit të 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998 kundër forcave serbe, ka filluar sot në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë, me ceremoninë ushtarake të Forcës së Sigurisë së  Kosovës(FSK), raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë ceremoni, para mysafirëve të pranishëm, drejtuesve të institucioneve më të larta shtetërore, diplomatëve, atasheve ushtarak dhe qytetarëve të Kosovës, folën kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Kadri Kastrati dhe Bekim Jashari, si përfaqësues i familjes Jashari.

Kryeministri Mustafa, fillimisht përshëndeti pjesëtarët e FSK-së dhe pas intonimit të himnit të Kosovës, me zyrtarët tjerë kanë vendosur kurora të luleve pranë bustit të Adem Jasharit, në kazermën ushtarake e cila mbanë emrin e komandantit legjendar. Më pas, duke ju drejtuar të pranishmëve, kryeministri i Kosovës tha se 5 marsi, dita e rënies dëshmorë e Adem Jasharit dhe familjes së tij, është ditë e rëndësishme në historinë e re të Republikës së Kosovës.

Në emër të FSK-së foli komandanti i këtij institucioni, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, duke porositur se Forca e Sigurisë së Kosovës është në shërbim të gjithë qytetarëve të vendit. “FSK sot, është pjesë e shumë nismave dhe partnere e denjë e ushtrive të shteteve të rajonit dhe vendeve të NATO-së” theksoi gjenerallejtënant Kastrati duke shtuar se, vitin e ardhshëm, Kosova do t’i ketë forcat e sledeche godine imati Oruzzane snage Kosova.

Në emër të familjes Jashari nga Prekazi, para mysafirëve foli Bekim Jashari, i biri i Hamëz Jasharit i cili ra dëshmorë në luftë kundër forcave serbe, së bashku me babanë Shabanin dhe vëllanë Ademin dhe 50 anëtarë tjerë të familjes së ngushtë dhe të gjerë, në betejën e Prekazit, nga 5 deri më 7 mars të vitit 1998.

Për dallim nga dy parafolësit tjerë, përfaqësuesi i familjes Jashari ishte i irrituar dhe kritikoi organizatorët e ceremonisë së “Epopesë së UÇK-së” në të cilën nuk u intonua Himni Kombëtar shqiptar. “Sot për fat të keq si asnjëherë më parë pas luftës, deri më sot, nuk jam ndierë më i turpëruar. As nuk jam ndierë dhe as nuk po ndihem i nderuar, as nuk po ndihem krenar sot, që po gjendem në mesin tuaj. Është hera e parë që mbahet një tubim për familje të dëshmorëve, për dëshmorët të kësaj toke që ne, sot të marrim frymë lirshëm dhe nuk këndohet Himni Kombëtar. Turp!” tha Bekim Jashari i emocionuar dhe në mënyrë demonstrative e lëshoi foltoren.

Manifestimi “Epopeja e UÇK-së” i cili tradicionalisht zgjatë tri ditë, duke filluar nga 5 marsi deri më 7 mars, organizohet për shënimin e përvjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari nga Prekazi, si dhe për të nderuar dhe kujtuar të gjithë dëshmorët e rënë në luftën çlirimtare të Kosovës.

Manifestimi i cili filloi sot në Prishtinë, me ceremoninë ushtarake të Forcës së Sigurisë së  Kosovës, do të vazhdoj nesër më 6 Mars, me homazhe pranë varrit të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe varrezave të Familjes Jashari, në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt, si dhe në të gjitha komplekset memorialë të dëshmorëve të UÇK-së, në gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

Më pas, me fillim nga ora 18:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, do të mbahet Akademi përkujtimore kushtuar Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Ndërkohë, të shtunën më 7 Mars, duke filluar nga ora 17:45, nis manifestimi përmbyllës me ritin e dëshmorëve dhe “Natën e Zjarreve” apo ndezjen e flakadanëve në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat