
Vërtetë mirësitë e Zotit ndaj njeriut janë të mëdha. Po kush bëri për njeriun atë që bëri Zoti për të, kush u kujdes për njeriun më shumë sesa Ai?! Kush e krijoi atë, kush e dalloi atë kaq shumë, e ngriti dhe e privilegjoi përveç Lartmadhërisë së Tij?! Andaj a nuk ia vlen që njeriu t’ia di për nder të Madhit Zot gjithë këto të mira e begati që ia ka dhuruar?! A nuk ia vlen t’i thotë: të faleminderit o Zot? Po, për çdokënd që ia bënë një të mirë sado të vogël, njeriu me natyrshmërinë e tij ndien nevojë ta falënderon atë. Shumica e njerëzve e bëjnë këtë dhe kjo është shumë e mirë dhe e pëlqyeshme, por ja që në raport me Zotin shumë pak e bëjnë. E ata të paktit që e bëjnë janë myslimanët. Për atë arsye ata janë njerëzit më falënderues, janë njerëzit që e njohin më së miri Zotin e tyre, Atij ia atribuojnë çdo të mirë që e kanë dhe për Të janë në gjendje të sakrifikojnë me gjërat më të shtrenjta dhe çmuara që kanë.
Shkuarja e haxhinjëve në Haxh është një nga dëshmitë e shumta për atë që ata bëjnë për Zotin e tyre. Është vetëm një fakt për madhërimin dhe falënderimin e tyre për Të. Si jo, kur Ai njerëzve u ka lënë shumë mundësi që nëpërmjet tyre ta falënderojnë, që të ngritën tek Ai, që të spastrohen nga mëkatet të cilat i bëjnë thuajse për çdo ditë. Ai ua do shumë të mirën njerëzve, i ka mëshiruar kur i ka krijuar dhe në vazhdim i mëshiron, ka thënë Allahu për vetën e Tij: “S'ka dyshim se All-llahu është shumë i butë dhe mëshirues ndaj njerëzve” (Ku’ran, el-Bekare: 143). Por ja që njerëzit nuk e dinë, apo nuk donë ta dinë këtë mirësi të madhe të Zotit të tyre me çka i bëjnë vetës së tyre zullum e pa drejtësi, siç na ka treguar edhe vet Zoti në Kur’an: “All-llahu nuk u bën asgjë të padrejtë njerëzve, por ata i bëjnë të padrejtë vetes së tyre.” (Kur’an, Junus: 44).
Tashmë haxhinjtë janë kthyer nga Haxhi, pasi që kanë kryer njërin nga obligimet më të rëndësishme të Islamit, pasi që kanë qenë në njërin ndër udhëtimet më të rëndësishme të jetës së tyre. Udhëtim ky të cilin kurrë nuk do ta harrojnë sa të jenë gjallë. E si ta harrojnë kur ata atje pranë shtëpisë së Zotit e kanë ndier vetën më afër Krijuesit të tyre se kurdoherë më parë. Ata janë veshur në dy çarçafë të bardhë dhe që të gjithë pa dallim kombi e race, pozite e ngjyre, kanë qëndruar në rrafshin e “Arafatit”, ku kanë ndier vetën të barabartë, të gjithë robër të Zotit, të gjithë të nevojshëm për mëshirën dhe faljen e Tij, mu për këtë kanë kaluar ditën duke kërkuar falje, duke u penduar për mëkatet e tyre, duke përtërirë besën Zotit të tyre se do të jenë më të mirë, më të denjë e më të sinqertë posa të kthehen në shtëpitë e tyre. Vërtet Haxhi një shkollë e madhe e edukimit, një kongres që kalon përmasat e çdo kongresi tjetër në botë. Dhe nuk dyshoj aspak se pjesa dërmuese e atyre haxhinjëve kthehen më të mirë dhe më të devotshëm sesa që kanë shkuar. Ata atje ndjen vetën se bënë diçka për Zotin e tyre, ndjen vetën se dhanë diçka për Furnizuesin e tyre. Atyre jo që ju dhimben ato para që i shpenzuan për atë udhëtim madhështor, por se janë shumë të lumtur që patën atë fat dhe atë mundësi. Ngase ata atje ia ndjejnë madhështinë e vërtetë të Islamit. Madhështi kjo që për te më së shumti ka nevojë bota bashkëkohore. Në veçanti në kohën kur bota është e mbushur me ndasi e dallime politike, ekonomike, sociale, kulturore etj. Në kohën kur luftërat dhe derdhja e gjakut nuk kanë të ndalur. Në kohën kur bota është duke shkuar drejt një ndryshimi të madh në shumë sfera, në veçanti në atë ekonomik dhe politik, e që nuk e di kush pos Zotit se çka është ka e pret këtë botë. Përballë të gjitha këtyre ndryshimeve dhe dallimeve të shumta mes njerëzve, ata kanë nevojë për mëshirën qiellore, për mesazhin qiellor, kanë nevojë që të kthehen te Zoti i tyre, e që do të thotë të kthehen në natyrshmërinë e tyre, duke e njohur Zotin e tyre, duke e falënderuar Atë, duke e kuptuar misionin e tyre në tokë, se ata nuk janë zot ashtu që të kenë të drejt të luajnë me fatin e njerëzve, t’i maltretojnë e persekutojnë ata në çdo mënyrë, për interesin e tyre. Por janë robër në tokë, e Zotin e kanë lartë në qiell i cili i sheh, i vëzhgon dhe çdo vepër e fjalë të tyre ua ruan e shënon dhe nesër në ditën e gjykimit sipas tyre edhe i shpërblen apo i ndëshkon.
Allahu na bëftë robër të devotshëm e të sinqertë, falënderues e vepërmirë.
Shkruan: Dr. Shefqet KRASNIQI
Krenaria.com