Për agjëruesin (5)

Ajet Kuranor:

Allahu i Madhërishëm thotë:

Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja. Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami! Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre! Kështu, pra, Allahu ua shpjegon njerëzve urdhëresat e veta, që ata të ruhen nga të këqijat. [Kuran 2:187]

Hadith

I Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk mbush i biri i Ademit enë më të keqe sesa barkun e tij. I mjaftojnë atij disa kafshata sa për ta mbajtur veten. Por, nëse e mund egoja e tij, atëherë le ta lë një të tretën për ushqim, një të tretën për pije dhe një të tretën për frymëmarrje.”[1]

Pikëpyetje:

Nëse muaji i ramazanit është muaj i agjërimit, atëherë përse llogaritet në mesin e muajve në të cilët ka më së shumti harxhime? Dhe përse dalin njerëzit nga ky muaj me peshë të shtuar?

Ide:

Bëje ramazanin, muaj në të cilin harxhon më së paku ushqim dhe pije!

Ndriçim:

Ka shumë familje që vdesin nga uria, që nuk kanë as një copë bukë për të ngrënë, atëherë përse vallë nuk ua japim të tillëve atë që i mban të gjallë dhe ta kursejmë veten nga gjërat që na vrasin?!

Shkëputur nga libri: “Jeumijat saimeh” (Hakibetu saimat) – të autorëve dr. Adil Esh-Shiddi dhe dr. Ahmed El-Mezjed

Përktheu: Jusuf H. Kastrati – Shembulli.com



[1] Këtë hadith e shënon Ibnu Maxhe, ndërsa Albani e cilëson si “sahih” (të shëndoshë).


Revista Shembulli