Korrespondentë nga haxhi

Kryerja e haxhit është prej adhurimeve specifike, të cilin Allahu e ka rradhitur ndër kushtet e Islamit. Por, edhe pse besimtarët e kryejnë atë në vend dhe kohë të caktuar, kusht i vlefshmërisë së tij nuk është informimi i të tjerëve se po e kryen këtë obligim, e as publikimi i çdo hollësie nga ky kongres i muslimanëve.

Them kështu duke dashur të sjellë ndërmend kushtet e pranimit të veprës e që janë:

  1. Sinqeriteti
  2. Vepra të jetë në përputhje të plotë me sunetin e të Dërguarit të Allahut, salAllahu alejhi we sel-lem.

A ka arritur teknologjia të na diktojë këto dy kushte? Në bazë të asaj që e shohim (fotografi nga aeroporti, fotografi nga arritja, fotografi duke u falur etj) mund edhe të dyshojmë.

I nderuar, ty që Allahu ta ka mundësuar vizitën e atyre vendeve të shenjta, shfrytëzoje çdo moment për t’iu përkushtuar si asnjëherë më parë Krijuesit tënd. Mos lejo të të humb koha e këtyre ditëve të numëruara me ‘punë fotoreporteri’.

Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, thoshte: Bërja e fotove nga haxhinjtë në vendet e adhurimit nuk është e lejuar për dy arsye:

  1. Sepse ata këtë e bëjnë për ta ruajtur dhe për kujtim, dhe çdo fotografi që bëhet për qëllim të ruajtjes së tyre ose për kujtim, është e ndaluar.
  2. Në të shumtën e rasteve nuk shpëton nga syefaqësia. Njeriu fotografohet që ta shohin të tjerët se ai e ka bërë haxhin, kështu që ai mund të bëjë një foto duke u lutur, ndërsa realisht nuk është duke u lutur, por atë e bën vetëm për t' fotografuar. Por, nëse e bën foton për shkak se kryen haxhin për ndokënd dhe për t’ia vërtetuar zotërisë që e ka dërguar në haxh, kur të takohet ia tregon dhe pastaj e grisë.

Sahabët dëshironin që të shkonin në haxh, të ktheheshin dhe të mos e merrte vesh njeri. Sa afër me vendin e tyre, por sa larg shëmbëlltyrës së tyre.

O Zot, na bëj të sinqertë në fjalë dhe vepra! Amin!

 

Hoxhë Valdet Kamberi