Kalifi i urtë

Kalifi, Omer ibën Abdul-Azizi ishte i njohur për urtësi dhe butësi. Një ditë prej ditësh hyri tek ai njëri nga bijtë e tij dhe i tha: “Baba, përse lëshon pe në disa çështje?! Për Zotin po të isha në vendin tënd, nuk do të frikohesha nga askush, kur të kisha pasur të drejtë.”

Atëherë, kalifi i tha të birit: “Mos nxito, o biri im! Allahu përbuzi alkoolin në Kur’an dy herë, por nuk e ndaloi atë veçse herën e tretë, kështu që unë frikohem se mos po i shtyj njerëzit ta pranojnë të vërtetën me zor, e pastaj ta kundërshtojnë atë dhe të bëhet përçarje në mesin e njerëzve.”

Kur i dëgjoi i biri këto fjalë u nda i kënaqur me politikën e mirë të babait të tij dhe e kuptoi se butësia e tij nuk rezulton nga dobësia e tij, por nga kuptimi i drejtë i fesë.


Shkëputur nga libri: “Kisas latife” i autorit Es-Sadik Ahmed Berijr

Përktheu: Jusuf H. Kastrati