Gjyshja që sulmoi grabitësit

Një gjyshe është heroina e ditës në Angli pasi rrahu me çantë gjashtë hajdutë të një dyqani bizhuterish, duke i bërë që të largohen. Ata që panë skenën nuk po u besonin dot syve. Dikush e regjistroi të gjithë ngjarjen ku gruaja e moshuar, që nuk deshi të idetifikohej, shihet ndërsa afrohet me nxitim e godet grabitësin, në një kohë kur askush tjetër nuk guxoi të ndërhynte.

“U tmerruam, mbyllëm derën e u fshehëm poshtë tavolinave. Na kapi paniku. Dhe pastaj kur pamë jashtë një grua në moshë që vraponte drejt hajdutëve e i qëllonte me çantë. E pabesueshme!”, tha një dëshmitare në vendngjarje.

Vetë gjyshja nuk kërkon të quhet heroinë e ditës, siç kanë filluar ta thërrasin. Në intervistën e parë të dhënë pas episodit të çuditshëm, ajo rrëfen se veproi kësisoj pasi askush tjetër nuk po reagonte.

“Njerëzit rrinin rrotull e shikonin, por nuk ndërhynin”, tha e moshuara.

“Kur u afrova pak, vura re xhamat e thyer të dyqanit dhe kuptova se po kryhej një vjedhje. Duhet të bëja diçka” shtoi 70-vjeçarja.

Pas ndërhyrjes së gjyshes, banorët e zonës sikur u zgjuan e u vunë pas grabitësve të armatosur me vare, që u larguan në drejtime të ndryshme për të përfunduar pak më vonë, thuajse të gjithë në prangat e policisë./TCH/